Meta në Forumin Global të AJC-së:Intensifikim të marrëdhënieve me Izraelin
Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, mori pjesë në Forumin Global të Komitetit Hebraik Amerikan(AJC), që u mbajt në Washington DC. Gjatë këtij Forumi u zhvilluan dhe dy seanca të veçanta kushtuar marrëdhënieve mes popullit shqiptar dhe popullit hebre, si dhe marrëdhënieve mes Shqipërisë, Izraelit dhe SHBA-së.
Kryeparlamentari Meta në prezantimin e tij evokoi marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë mes popullit shqiptar dhe atij hebre, si dhe kontributin e jashtëzakonshëm të shqiptarëve në mbështetje të hebrenjve gjatë periudhës së holokaustit.
Ai theksoi se “Shqipëria është ndër vendet e pakta në botë ku numri i hebrenjve ishte shumë herë më i lartë pas luftës sesa në fillimet e saj dhe asnjë përfaqësues i komunitetit hebre nuk iu dorëzua pushtuesve nazistë”.
Më tej, Meta u shpreh se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Izraelit janë shumë të rëndësishme për të dy popujt, ndaj po punohet për intensifikimin e tyre konkret, veçanërisht në fushën e bashkëpunimit ekonomik, rritjes së shkëmbimeve tregtare dhe investimeve izraelite në Shqipëri.
“Ne duhet të ndërtojmë mbi këtë miqësi historike që gëzojmë, duke i kthyer marrëdhëniet tona të bashkëpunimit në një përfitim të përbashkët mes dy popujve. Njëkohësisht, të dy vendet tona duhet të vazhdojnë të punojnë ngushtë dhe ta forcojnë aleancën me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si miku dhe aleati ynë më i mirë në të dy rajonet respektive”, u shpreh Meta.
Gjithashtu, kryetari i Kuvendit në fjalën e tij u përqëndrua dhe në situatën në Lindjen e Mesme duke vënë në dukje se Shqipëria mbështet një zgjidhje paqësore dhe të qëndrueshme për konfliktin në këtë rajon si dhe politikën e “dy shteteve” Izrael-Palestinë, që jetojnë në paqe dhe në harmoni me njëri-tjetrin.
Meta nënvizoi gjithashtu rëndësinë strategjike të marrëdhënieve që Shqipëria dhe Izraeli kanë me SHBA-në, si dhe kontributin që Shtetet e Bashkuara japin për paqen dhe sigurinë në të dy rajonet tona.
Gjatë punimeve të Forumit Global të AJC, Kryetari i Kuvendit u prit dhe u përshëndet edhe nga Shefi Ekzekutiv i Komitetit Hebraik Amerikan (AJC), David Harris, i cili shprehu mirënjohjen e komunitetit hebraik për miqësinë e ngushtë që ekziston mes popullit shqiptar dhe popullit hebre, si dhe shprehu mbështetjen e AJC për forcimin e bashkëpunimit mes Izraelit dhe Shqipërisë në të ardhmen.