E vërteta historike për mbrojtjen e viktimave të Holokaustit

Nga Kostaq Xoxa

Historiografia enveriste, nën diktatin absolut të Beogradit

Pesë vite e gjysmë më parë u bë një debat televiziv me temë: Si u ruajtën çifutët në Shqipëri nga masakra naziste ndaj hebrenjve. Është një subjekt për të cilin vendi ynë është krenar. Çifutët u ruajtën nga populli, me përkrahjen e qeveriuve të kohës. Mjaft hebrenj të cilët sot jetojnë në Izrael u kanë bërë letra mirënjohjeje shqiptarëve, që i strehuan në shtëpitë e tyre. Njëri ndër strehuesit, – meqë ra fjala, – ka qenë edhe im atë, që strehoi familjen e Sulejman Konfortit, të cilën ia porositi ta kishte nën kujdesin e tij, burri i besës dhe patrioti Ali Kuçi (vdekur nën tortura, pa mbërritur puna gjer në gjyq, nga hetuesia komuniste). Aliu nuk ishte politikan, por kishte miqësi, si njerëzit më me ndikim në Berat e në Lushnje, me drejtuesit e shtetit, në kohën e pushtimeve. Ai ia ndërroi Salomonit, me pranimin e autoriteteve të kohës, emrin në Sulejman, me dokument identifikimi të rregullt. Kuptohet, përse. Familja e Ali Kuçit ka marrë, prej familjes së Salomonit, një mori letrash nga Amerika e Jugut (Montevideo), ku hebreu me familjen shkoi shëndosh e mirë, fill në përfunimin e Luftës II Botërore, ende pa ndryshimin e rendeve. Ishte miqësuar fort edhe me familjen tonë, nga bashkëjetesa në një shtëpi, dhe kërkoi të na merrte me vete, gjatë largimit të tij, disa ditë para 17 nëntorit të 1944-s. Im atë nuk pranoi, pavarësisht se më vonë u bë pishman.
Por, që t’i rikthehemi atij debatit televiziv që cekëm në fillim, njëfarë Apostol Kotani iu kundërvu Elza Zallarit dhe Tanush Mulletit për një pikë kyçe: Çifutët nuk u mbrojtën vetëm nga populli, siç mëtonte Apostoli, por edhe nga qeveritë në fuqi, pavarësisht se ishim nën okupacion. Është një fakt historik, të cilin Elza e kishte trajtuar edhe në studime me shkrim. Në të vërtetë, Kryetarja e Parlamentit, zonja Jozefina Topalli, ka pas thënë një të vërtetë historike në takimin me Ambasadoren e Izraelit, zonjën Amira Arnonit, duke i folur për një seancë të posaçme parlamentare në agjendë, me rastin e Ditës së Kujtesës së viktimave të Holokaustit. Zonja Topalli i vuri pikat mbi i mbi një të vërtetë historike kur i tha Ambasadores së Izraelit se “Shteti shqiptar dhe shqiptarët ishin të vetmit që nuk dorëzuan asnjë hebre”. Zonja Arnon ishte në dijeni të faktit dhe u shpreh se “kjo është një vlerë e rrallë të cilën populli i saj nuk do ta harrojë kurrë”.
Asnjë çifut i dorëzuar: katër hebrenj banues në Shkodër, që u arrestuan në fillim të ’44-s nga komanda gjermane, shqetësuan qeverinë. Autoriteteve ushtarake gjermane iu kërkua, me firmën e Enjëll Çobës, që të mos futen në punët e brendshme tonat, sipas aktit të marrëveshjes për veprimet që kanë të bëjnë drejtpërsëdrejti me ushtrinë gjermane. Me ndërhyrjen pranë konsullatës gjermane në Tiranë, të katër të burgosurit u liruan. Në një lapidar nderimi të nivelit të lartë në Jerusalem, emri i Shqipërisë është në vendin e nderit.
***
“Historiani” Aposto Kotanii natyrisht që nuk ka dashur të pohojë të vërtetën historike se populli do të ishte i pafuqishëm që të ruante qoftë edhe njërin nga çifutët, nëse nuk do të ishte në unison me qeverinë, e cila nuk pranoi të vinte në zbatim listat e sakta dhe të detajuara të organeve të pushtimit që iu dorëzuan Regjencës. Historiani i mirinformuar në dokumente arkivore, K. Dervishi, ka shkruar se “Shqipëria nuk ishte shpallur asnjëherë si zonë pushtimi nga gjermanët” (“55”, f. 16, 27.01.2008). Në saje të një marrëveshjeje dypalëshe, gjermanët e quanin kalimtare dhe për nevoja të Luftës qëndrimin në Shqipëri dhe nuk do të vinin në zbatim ligjin e luftës që, për një gjerman të vrarë, të vriteshin dhjetë, për hakmarrje. Përjashtimi u bë në Borovë, për kurthin e Barmashit, që gjermanët nuk e quajtën luftë të mirëfilltë, se Gjermanët ishin në tërheqje për në vendin e tyre të forcave të këtushme, si edhe të forcave ushtarake që tërhiqeshin nga Greqia.
Në mbrojtjen e hebrenjve në Shqipëri dalin dy probleme të mprehta historike.
1.Jo vetëm gjatë kohës së gjermanëve, por edhe gjatë kohës së pushtimit italian, qeveria i doli për zot paprekshmërisë së hebrenjve. Jakomoni, në kujtimet e tij, e shpreh hapur këtë fakt. Madje kjo politikë mbrojtjeje, siç përmendet edhe në argumentimin e mbështetur në prova arkivore, të datës 27 janar, në gazetën tonë nga K. Dervishi, evidentohet edhe në faktin që Sh. Vërlaci, M. Kruja, M. Bushati dhe E. Libohova ishin të pavarur në këtë drejtim, domethënë që të mos cenoheshin çifutët, banues në Shqipëri. Të dhënat për ekzistencën e bashkësisë çifute, ministria e Brendshme i kishte të plota, por jo për veprim kundër hebrenjve. Regjenca, më tej, u tregua krejtësisht e vendosur, në marrëdhënien me gjermanët, kur këta i dorëzuan Rëegjencës lista emërore të sakta të hebrenjve banues në Shqipëri, të cilat jo vetëm që nuk u morën në dorëzim për zbatim nga Regjenca, por kjo mundësoi edhe kartat e identitetit me emra të ndërruar të njerëzve të kërcënuar. Në debatin televiziv që përmendëm, njëri nga pinjiollët e familjes Levi, tregtar në Vlorë, telefonoi në emision për të shfaqur, në trajtimin e kësaj teme, mirënjohjen ndaj popullit ‘dhe ndaj qeverisë’. Në këtë pikë del një problem i madh historik: Siç e pamë, qeveritë që u quajtën kolaboracioniste nga sistemi politik i nëntorit të ’44-s, kishin njëfarë pavarësie relative, por edhe për çështje me rëndësi kapitale (dhe ajo e moscenimit të çifutëve e tillë ishte). Por del në pah edhe një krahasim i thekshëm, një antitezë: A ishte po aq e pavarur qeveria shqiptare e Beratit dhe e Tiranës, domethënë a ishin po aq të pavarur drejtuesit e kupolës komuniste ndaj jugosllavëve, gjatë luftës dhe pas saj, gjer në prishjen që u shpall në Komngresin e Parë të Partisë? Pra, kemi edhe një kolaboracionizëm të nëndheshëm, një vasalitet të pështirë të E. Hoxhës ndaj emisarëve të Titos, M. Popoviçit, V. Tempos dhe D. Mugoshës, më parë dhe ndaj Velimir Stojniçit, më vonë. Këtyre s’u bëhej dot as kundërvënia më e vogël. Lufta civile (e mohuar nga historiografia e indoktrinuar, por edhe nga E. Rama, – që u bë pishman), ka qenë e njëmendët dhe e diktuar nga emisarë të huaj!
Dhe, ndërsa kolaboracionistë, të qenë e të paqenë, u masakruan në mënyrë tërësore, ata kolaboracionistët që i quajtëm të nënrrogozshëm, bënë nënshtrimin total ndaj shovinizmit të egër, shkatërrimtar e rrënues antishqiptar, në kurriz të kombit tonë verior. Në një vend të madh si Franca u ekzekutuan vetëm ish-kryministri Daladier dhe shkrimtari i spikatur Brazilak, si edhe disa të tjerë, si kolaboracionistë. Te ne u bë kërdia!. Nuk u kursye as kleri. “Historiani” Apostol Kotani e përdhos vërtetësinë historike në mënyrë tendencioze, pra, që të mos dilte në pah ai krahasimi që shfaqëm për pavarësinë e qeverive nën okupacion dhe për atë “pavarësi” të paqenë në një kohë tjetër. Para se të hyjmë në pikën 2, për temën e hidhur të pavarësisë ka edhe argumente të tjera. Njëri prej tyre është ai që ka të bëjë me vendimin që u mor për në Këshillin e Fashiove, për vendosjen emblemave të liktorit në flamurin shqiptar. Në Shqipëri një vendim quhej i ekzekutueshëm vetëm pas botimit në Fletoren Zyrtare shqiptare. Italianët nuk e kishin dhënë për botim në këtë organ juridik të shtypit. Qeveria përfitoi nga rasti dhe nuk e zbatoi mbingarkesën e flamurit me emblemat e liktorit. Në dritaret e banesave shqiptare, me rastin e festave, flamuri shqiptar dilte pa stemat e huaja!
Por a dilte kështu në kohën e marrëdhënieve me jugosllavët, me sovjetikët, apo edhe me kinezët? Ylli i kuq, mbi flamurin shqiptar, mezi u hoq nga flamuri shqiptar edhe pas proceseve demokratike, nga kundërshtia e disa nostalgjikëve të mykur të parlamentit! Historia e vërtetë ka mjaft ç’të shkruajë për shumë të vërteta që kërkohen të lihen në harresë! Duket se historinë nuk mund ta shkruajnë ata që e kanë shfytyruar, siç e kemi thënë edhe më parë.
2. A mund t’i mbronte populli ynë hebrenjtë, po të kishte pasur një qeveri si ajo e mëpastajmja? Këtu del një kapitull i ri: ai i mizorisë komuniste. Dhe del edhe një e vërtetë tjetër: A mendon vërtet “historiani” Apostoli, se antikomunistët që bënë një qëndresë të përkohshme maleve dhe ata që kishin emrin përkeqësues diversantë, e kishin të lehtë të strehoheshin? A nuk kishin ata dashamirë të tyre, farefisní, apo njerëz që ishin me ata në opinione? Cili prej tyre do të kishte guximin t’i mbante qoftë edhe për disa ditë? Në shkrimin “Shpëtimi i hebrenjve në Shqipëri dhe arroganca e regjimit komunist” që kemi cituar, lexojmë këtë frazë: “Mark Menahemi (çifut) (…) ishte dënuar më 21.10.1945 nga gjykata komuniste, për “fajësinë” se përse nuk kishte denoncuar vendndodhjen e Lef Nosit”. Pas ’45-s, ndëshkimet e strehuesve, qoftë edhe për një ditë, bëheshin me internimin e të gjithë familjes dhe me pushkatimin e kryefamiljarit. Togfjalëshi “strehues i të padëshirueshmëve” ka nenin përkatës akuzues në regjimet totalitare, veçanërisht në ato që, me hipokrizinë e tyre, quhen “popullore”. Populli është krejtësisht i atrofizuar për të bërë më të voglin veprim, qoftë edhe humanitar, që bie ndesh me dogmat e pushtetit. (“Fajësia” e pjesëmarrjes në varrime të padëshiruara nga regjimi). Pra, ato fjalët “tiranik”, “satrap” e të tjera, që i kishte me bollëk historiografia e indoktrinuar, duheshin marrë krejtësisht në sensin e anasjellë. Çifutët në Shqipëri nuk mund të kurseheshin gjer te një individ i vetëm, po të mos kishin edhe mirëdashjen e qeverisë, përveç mbrojtjes së popullit. Kjo është e vërteta e pashtrembëruar, në këtë çështje, për të cilën përshëndesim saktësinë në shprehjen e përpiktë të zonjës Topalli. Mos të abuzohet me popullin tonë, për të bërë, tërthorazi, panegjirizmin e një regjimi që meriton vetëm mallkim.

Ambasada izraelite, investime për fëmijët shqiptarë në Tiranë

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj: Jemi me shumë fat që kemi miq nga Izraeli

Izrael

Herzog: Shqipëria në krah të popullit izraelit, në anën e duhur të historisë

Presidenti i Izraelit, Isaac Herzog deklaroi sot se shqiptarët dhe hebrenjtë ndajnë një histori domethënëse.

Shqipëri

Koçiu-Hareven: Shkëmbim i njohurive mjekësore me Izraelin

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu takim me Yoel Hareven, drejtor mjekësor në “Sheba Medical Centre”

Kosove

Osmani: Kosova dënon sulmin e Iranit ndaj Izraelit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas sulmit të Iranit ndaj Izraelit natën e kaluar.

OPED

Populli ynë ka qenë dhe do të mbetet krah popullit hebre

Sot shënohet Dita e Përkujtimit të Holokaustit, ditë që përbashkon gjithë botën në kujtim të viktimave

Bota

U rrëzua helikopteri, vdesin Presidenti i Irani dhe ministri i Jashtëm

Presidenti iranian Ebrahim Raisi dhe ministri i Jashtëm Hossein Amirabdollahian ishin në mesin e nëntë personave që humbën jetën

Spyzone

Izraeli, rekord eksportesh prodhime ushtarake në 2023

Kompanitë izraelite të mbrojtjes nënshkruan porosi të reja eksporti me vlerë rekord 13.073 miliardë USD në vitin 2023