Admir Shala: Ja teknologjitë izraelite që mund të implementohen në Kosovë
Specialisti nga Gjakova ishte në Izrael për të një specializim në fushën e “teknologjive të pastra
Admir Shala nga Gjakova e Kosovës, së bashku edhe me Eltjana Shkrelin nga Shkodra e Shqipërisë, ishin në Izrael për një specializim në fushën e “teknologjive të pastra”, ku ata patën mundësinë të njiheshin e të përfitonin jo pak nga eksperienca izraelite, një nga liderit botëror në atë fushë.
“Përvoja ishte fantastike meqenëse lidhej pikërisht me sfidat që edhe ne si kosovarë kemi në këtë fillim të shtetndertimit. Përvoja e tyre dhe shpirti inovativ qe popull hebre kishin, me bën optimist që edhe do t’i dalim ne te ardhmen sepse gjithashtu jemi kureshtar si popull, por vetëm nevojitet kjo energji të artikulohet drejt në shërbim të shkencës dhe zhvillimit”, thotë Shala për Izraelisot.com pas kthimit të tij në Kosovë.
Gjatë trajnimit disajavor të mundësuar nga shteti i Izraelit – 22 prill-16 maj – Shala pa nga afër disa nga teknologjitë e pastra që përdoren në Izrael.
“Ne patëm rastin të shohim nga afër arritjet në fushën e teknologjisë dhe unë isha i interesuar për energjinë e riperteritshme. Posaçërisht energjia diellore, të biogazit dhe të mbetjeve urbane. Në këtë aspekt shteti hebraik është lider dhe arritjet e tyre të lënë pa fjalë. Ne kishim rastin të vizitojmë edhe institutet kërkimore atje, të tilla si Ben-Gurion University of the Negev dhe Weizmann Institute of Science.
Pjesëmarrësit në trajnim ishin nga 21 vende të ndryshme: nga Europa (Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia), kurse të tjerët nga Afrika, Azia dhe Amerika Latine (nga Kameruni, Etiopia, Kolumbia, Kazakistani, etj.), profesionistë që punojnë në sektorin publik në fushën e ambientit.
Por, sa mund të zbatohen në Kosove teknologjitë izraelite?
“Mendoj qe, – thotë Shala, – ajo e Biogazit dhe e mbetjeve urbane mund të gjej shumë zbatim edhe në Kosovë, por edhe në Shqipëri, meqë përfitohet nga mbetjet e kafshëve dhe plehrave te cilat ne nuk i trajtojmë ende dhe i kemi me shumicë. Për këtë arsye kemi vendosur ca kontakte me kompanitë atje dhe dëshirojmë që në një të ardhme të përfshijmë edhe personat vendimmarrës për t’i shtyrë proceset përpara”.
Për Admir Shalën kjo ishte hera e parë që ai vizitonte Izraelin.
“Ishte hera e parë dhe ngela pa fjalë nga ajo qe pashë atje. Dhe jo vetëm nga specializimi gjatë trajnimit, por edhe nga vizitat qe na organizuan në Jerusalem, Nazareth, Galile, Shkretëtirën e Negevit, Masada, Detin e Vdekur, etj”, – thotë Shala për Izraelisot.com.
“Por, më bëri krenar fakti që, në Muzeun e Holokausti Yad Vashem në Jerusalem ishte pasqyruar mbrojtja e Hebrenjve në Shqipëri gjatë Lufts së Dytë Botërore, duke ju falënderuar “besës” shqiptare. Pra, në mesin e vendeve që kane treguar strehim dhe mbështetje për Hebrenjte jemi edhe ne dhe ndjenja ishte fantastike!”, – shton Admiri.
Shqipëria dhe Kosova numërojnë së bashku 75 “Të Drejtë midis Kombeve”, emrat e të cilëve janë shkruar në pllakatin e madhe në një nga kopshtet hyrëse Muzeut Yad Vashem.
“Gjatë vizitës aty u thashe që të gjitha këto krime për mua janëë njohura dhe po të njëjta i ka provuar populli shqiptar i Kosovës ku njëri nga të mbijetuarit kam qenë dhe unë! Asokohe, 24-vjeçar kam qene i deportuar dhe më qan zemra qe pse dhe neve nuk kemi një muze te këtillë ne vendin tonë për të pasqyruar tragjedinë tonë po aq të dhimbshme sa e juaja”, thotë Admir Shala.
Ceremonia e diplomimit prodhoi të tjera emocione për Shalën, kjo edhe nga fakti se Kosova dhe Izraeli ende nuk kanë marrëdhënie diplomatike midis tyre, dhe nuk ka një ambasadë të Kosovës në Izrael.
“Gjatë ditës së fundit të trajnimit erdhën shumica e ambasadoreve të vendeve nga vinin pjesëmarrësit dhe kur erdhi radha tek unë u ngrit Ambasadori i Shqiperisë, Bardhyl Canaj, dhe tha se ‘kosovarit tonë nga Gjakova do t’ia jap unë certifikatën”. Kjo gjë u duartrokit nga te pranishmit dhe mua më bëri zemrën mal sa nuk kam fjale ta përshkruaj tani”, thotë Shala.
Ceremonia dhe ligjëratat u mbajtën gjatë kësaj periudhe ne Fakultetin e Mjedisit dhe Agrokulturës të Hebrew University në Rehovot dhe ligjërues ishin njerëz të shquar nga bota të cilët përfaqësonin institute dhe korporata të fuqishme.