Neki Babamusta: Si e shpëtuam familjen hebreje dhe ushtarët italianë në 1943


Ai është dekoruar së fundmi nga qeveria amerikane për kontributin e tij ndërkombëtar dhe demokracinë. Pena publicistike dhe historiane mjaft e njohur në Diasporë dhe trojet shqiptare, Prof. Neki Babamusta rrëfen sot në një intervistë marrëdhëniet e tij të hershme me Amerikën, por jo vetëm… Ai rrëfen gjithashtu se si familja e tij shpëtoi në 1943 një familje hebreje si dhe disa ushtarë italianë, që kishin dezertuar nga fronti i luftës…

Sinqerisht jam kurioze të di motivin dhe interesin që ngjalli te Qeveria Amerikane për të nderuar Atë & Bijë – Ju i nderuar Prof. Babamusta për kontributin tuaj ndërkombëtar dhe demokracinë, dhe vajzën tuaj Ermira – “Gruaja Humanitare Ndërkombëtare”?

Letër amanet: “Të mbrohen Shqiptarët në çdo kohë dhe në çdo mënyrë.” – George Washington (Babai i Kombit, SHBA). Kombi i madh amerikan është ndërtuar, bazohet dhe funksionon mbi bazën e vlerave demokratike dhe humanitare botërore. Bazuar në përkrahjen historike që SHBA-ja i ka dhënë kombit tonë, në momentet më kulmore dhe në çdo kohë, për shqiptarët, Amerika vlerësohet me zemër si kombi i dytë. Si pjesë përbërëse e kombit shqiptar, dy fiset “Babamusta” dhe “Cani”, koha prej afro 100 vitesh ka qenë periudhë bashkëpunimi e afrimi në forcim të miqësisë tradicionale shqiptaro-amerikane. Shkolla amerikane në Kavajë, themeluar në 1920 (Golem), Lufta Çlirimtare (v. 1941-44), Fronti i Rezistencës (1944-46), fitorja e Demokracisë (22 mars 1992) dhe ardhja e ambasadorit të parë Amerikan në Kavajë z. William Ryerson (15 mars 1992), Lufta Çlirimtare e Kosovës (1998-99), qëndrimi në SHBA, dy herë si familje dhe takimet në Kongresin Amerikan (1999 & 2003), si edhe angazhimet e vajzës time, Ermira në politikën amerikane – janë dëshmi e qartë e kësaj miqësie të hershme. Kjo lidhje e ngushtë e familjes time, Amerikës dhe Shqipërisë karakterizohet nga një miqësi e fortë dhe aleanca të përbashkëta si në frontin diplomatik dhe në aspektin social-kulturor.

Si ndjeheni tashmë mbas këtij dekorimi të lartë nga Kongresi Amerikan si “Mbrojtës Ndërkombëtar i Demokracisë”?

SHBA-ja si vend i Demokracisë funksionale rrezaton për vlerat e çdo njeriu, pavarësisht kombësisë, rracës, prejardhjes apo vlerave fetare. Çdo person që ia ka kushtuar jetën vlerave njerëzore, paqes dhe demokracisë, për popullin amerikan dhe Qeverinë e saj, je një vlerë e respektuar, dhe në kuptimin metaforik “yll hollivudian”. Edhe përpara kombit tim, dy fiset “Babamusta” dhe “Cani” janë tepër të nderuar, bazuar në fakte. E veçanta e dekorimit të dytë (e para dhënë nga kongresmeni Kennedy në 2004) u dha me 4 korrik 2013, ditën e festës së pavarësisë së SHBA-së, dhe me miratim tepër të përzemërt nga Kryetari i Senatit Amerikan z. Harry Reid. Natyrisht, ndjesia qe me emocione të jashtëzakonshme. Merita dhe lavdia i takon kombit tim. Si i barabartë në mes të barabartëve ndjehem krenar përkrah falangës qindra-mijëshe të bashkombasve të mi, që punojnë për të njëjtin qëllim. Falenderoj në mënyrë tepër të përzemërt Kongresin Amerikan, senatorin Harry Reid, qeverinë e SHBA-së me në krye Presidentin e vlerave paqësore në botë Obama.

Për dy fiset tuaja Babamusta dhe Cani ka shumë shkrime dossier në arkivën e shtetit dhe botime të përditshme. Ç’mund të na thoni për momentet më të dhimbshme të këtyre familjeve, burgu, mbi 80 jetë njerëzish të persekutuar e të pushkatuara. Cili qe kërcënimi që këto fise i sillnin sistemit diktatorial komunist, në fuqi?

Papa Françeso ka thënë, “shpëtojeni jetën… është e ardhmja e njerëzimit!” Të vrasësh një njeri është çmenduri, bëhesh mëkatar i përjetshëm. Vetëm dashuria njerëzore e ngroh, e fisnikëron dhe e bën më të begatë jetën dhe më të ngrohtë Universin. Ndonëse shpirti i mëkatarit mbetet në errësirë, mëkatet e tij dalin në shesh. Nuk kam për ta harruar ditën (në maj 1954) kur u futa mes dy grupeve të armatosura prej 40 vetëve, të cilët ishin në grindje politike, përçarë nga partia komuniste dhe ishin gati për vëllavrasje politike (lufta e klasave). Njëri grup anonte me Shyqyri Pezën (pushkatuar nga diktatura), bashkëpunëtor me anglezët, ndërsa grupi tjetër anonte nga vëllai i tij Myslim Peza, që përkrahte regjimin vendor. Kam qenë vetëm 17-vjeç, mësues në fshatin Gjysylkonaj, kufi me Pezën. Me shpejtësi u futa në mes dhe thashë me zë të lartë, “para se të vriteni vlla me vlla, qëlloni mbi mua. Vritni mësuesin tuaj.” Me fat u shmang gjakderdhja në mes 35 familjeve (me shumë kurorë) të fshatit. Mbas dy ditësh ftova në shtëpinë time në Kavajë 8 përfaqësuesit e tyre, ku u bë pajtimi i gjaqeve midis dy grupeve. Në nëntor 1964, gjatë kryerjes së shërbimit tim ushtarak në Elbasan, më kërkuan për të më rekrutuar në organet e sigurimit të shtetit, për shërbim të jashtëm diplomatik. Natyrisht refuzova t’i shërbeja regjimit komunist sepse nuk ma lejonte ndërgjegja të fusja në burgje njerëz të pafajshëm. Refuzimi pati pasoja për të ardhmen time. Më keqtrajtuan: i tramatizuar u shtrova në spitalin ushtarak të Elbasanit (nëntor 1964), që në fillim më mohuan të drejtën e studimit (të cilën e mora me korrespondence si shkollën e mesme dhe universitetin), më pushuan nga puna, më transferuan në zona të largëta dhe përndoqën familjen time. Nga persekutimi komunist të dy fiset patën pasoja të rënda. Mbi 20 vetë të vdekur nëpër burgje, të burgosur dhe internuar. Vëllain e gruas, Naim Cani, vetëm 21 vjeçar, e shtypën me makinë në orar të punës. Megjithëse familja u interesua për të gjetur personin dhe shkakun deri në organet e larta të qeverisë së kohës, heshtën dhe nuk morën asnjë masë ndaj shoferit që kreu vrasjen. Babai im, Beqir Babamusta, pësoi një vdekje të dhimbshme. Në vitet e para të çlirimit, këshilltari i lagjes i bënte presion psikologjik vazhdimisht duke i thënë: “unë jam Enver Hoxha”. Babai vdiq nga ataku në zemër në moshë shumë të re, 68 vjeç. Edhe vajza ime Ermira, ndonëse mbaroi me rezultate të shkëlqyera shkollën tetë-vjeçare dhe konkursin e anglishtes, komisioni i provimit të anglishtes nuk i dha të drejtën për të vazhduar shkollën e mesme. Komisioni vendosi të dërgonte në shkollën e mesme në gjuhët e huaja në Tiranë bijë komunistësh dhe funksionarësh të pushtetit, ndonëse ato nuk fituan pikët minimale në konkurs. Si morëm rezultatin negativ, me ndërhyrjen time dhe të gruas, i kërkova komisionit të përsëritej provimi dhe të korrigjoheshin të gjitha provimet e pjesëmarrësit në konkurs para nesh. Një anëtare e komisionit të provimit në një qytet tjetër na lajmëroi se po korrigjonin të gjitha provimet duke u bazuar te përgjigjet e provimit të Ermirës, që ishte më i miri. Edhe pse Ermira meritonte pikët më të larta, ia ulën pikën me kërkesë të kryetarit të komisionit. Vajza ime, e indinjuar iu drejtua komisionit: “rezultatet e gabuara që dhatë ju, do t’i verifikojë shkolla e gjuhëve të huaja në Tiranë dhe Ministria e Arsimit”.

Po për strehimin e një familje hebreje dhe ushtarëve italianë pas kapitullimit të Italisë Fashiste të Benito Musolinit, ç’mund të na thoni? Si dhe pse i strehuat?

Ish Mbreti Zog, për humanizmin dhe inteligjencën që karakterizonte izraelitët, në 1938 nënshkroi marrëveshjen me Evropën që nëpërmjet Kryqit të Kuq Ndërkombëtar të sillte në Shqipëri disa mijëra hebrej. Në fillim u instaluan në Vlorë, dhe pastaj në tërë Shqipërinë. Hitleri shfarosi nëpër kampet e përqendrimit në krematoriume (furrat e vdekjes) mbi 6 milionë hebrenj. Populli shqiptar, krenohet për humanizmin e tij sepse shpëtoi jetën e mbi 2,000 hebrenjve. Në Kavajë, ish-sekretari i gjyqit, Mehmet Babamusta (Dëshmor i Kombit), në bashkëpunim me përmbaruesin, mësuesin patriot Mihal Lekatari, (Mësues i Merituar), arritën të pajisin me pasaporta shqiptare në fazën e parë 178 hebrenj. Në shtëpinë time, nëpërmjet kushërinjve Ragip, Mehmet dhe Ibrahim Babamusta sollën për strehim një familje izraelite rrobaqepësi prej 4 vetësh: burrë e grua me dy fëmijë (djalë e vajzë), në tetor 1943. Edhe pse ishte rrezik i madh, i pranuam si miq dhe i dhamë besën. Babai im, Beqiri, komunikonte me to në italisht. Familja na tregoi që pjestarët e tjerë të familjes izraelite dhe shumicën e fisit ia kishin vrarë gestapoja hitleriane. Më ka mbetur në kujtesë pamja e tyre e trishtuar, sidomos fati i fëmijëve. Trishtimi i tyre shoqërohej me një buzëqeshje të ëmbël për prindërit e mi (Beqir dhe Rabihane Babamusta), që i mbajtën të strehuar për 3 muaj. Gjatë kësaj kohe jetonim me frikën e kontrollit nga ushtarët gjerman. Gjatë kontrollit ushtarët gjerman vrisnin të gjithë anëtarët e familjeve që strehonin izraelitë. Edhe pse lagja ishte në dijeni, askush nuk tregonte. Kur morëm vesh se në lagje filloi kontrolli nga ushtarët e gestapos, me shpejtësi e larguam familjen për t’i fshehur në një kasolle bagëtish tek livadhet, 700 metra larg shtëpisë. Asnjë izraelit në Shqipëri nuk u denoncua te nazistët as nga qytetarët shqiptar e as nga qeveria shqiptare – një dashamirësi dhe humanizëm i madh që tregon integritetin dhe karakterin e fortë të popullit shqiptar. Pas tre muajsh, djali i xhaxhait, Mehmet Babamusta, i pajisi me dokumenta dhe familja izraelite kaluan Adriatikun. Ndarja qe tepër emocionuese me përqafime dhe lot në sy, i puthnin duart babait dhe nënës time. E konsideronim familjen hebreje si familjen tonë. Mihal Lajkatari për këtë akt heroik që kreu me Mehmet Babamustën (djali i xhaxhait tim), duke shpëtuar qindra jetë izraelite në shenjë nderimi dhe mirënjohje u thirr nga qeveria izraelite në Tel Aviv. Atij iu dhurua dekorata e mirënjohjes dhe emri ndodhet i shënuar në përkujtimoren e Muzeumit Historik në Tel Aviv. Po aq mbresa të thella më ka lënë strehimi i 6 ushtarëve italianë, që kishin dezertuar nga fronti i luftës (8 shtator 1943). Gjermania, pas kapitullimit të Italisë, kërkonte ushtarët italianë për t’i rekrutuar në ushtrinë gjermane. I strehuam ushtarët tek depoja e bereqetit, dhe natën flinin në një dhomë, tek bodrumi i shtëpisë. Më kujtohet se ne fëmijët (unë rreth 7-8 vjeç), bashkë me ushtarët italianë qëronim misër te hauri (magazina), vendi i strehimit. Për t’ia hequr mërzitjen, babai i mbante me shaka duke komunikuar në gjuhën italiane dhe i jepte shpresën me fjalë zemre se së shpejti do të riktheheshin në familjet e tyre. Më i riu nga ushtarët, Xhuzepe, me lot në sy përqafonte nënën: “Mia Mama – a do shkojmë gjallë në shtëpi te prindërit tanë?” – “Po”, – i përqafonte nëna, “së shpejti do ndodheni pranë familjes tuaj.” Mbas 2 muajsh qëndrimi, si u pajisën me dokumenta, 6 ushtarët u rikthyen në vendlindje. Pasi arritën, na sollën përgëzime të zemrës sepse shpëtuan pa u kapur nga gestapoja.

Dy fiset Babamusta dhe Cani janë vlerë kombëtare e historike, kjo falë kontributit të tyre të çmuar e të njohur për patriotizëm, atdhetari, demokraci, paqe dhe bujari, ku familjarisht keni pritur dhe përcjellë shumë figura historike shqiptare dhe ndërkombëtare. Na tregoni më shumë për disa nga personalitetet që keni bashkëpunuar dhe mikpritur?

Koha i bashkon ose i largon njerëzit. Në Peqin, në pjesën perëndimore të qytetit, në afërsi të lumit Shkumbin ndodhet një godinë – kullë dy katëshe (ndërtuar nga Ramazan Cani, gjyshi i gruas, Suzanës) ku në dy pjesë ballore janë skalitur në gur dy shqiponja, simbol i vatrës patriotike. Te kulla e Ramazan Canit mblidheshin udhëheqja e partizanëve për problemet e luftës nacional çlirimtare, që nga fillimi i viteve 1942-44 (më pas u lidhën me Frontin e Rezistencës). Në qershor 1972, rastësisht erdhi për vizitë një mik i hershëm i Fisit “Cani”, z. Rexhep Muzhaqi, (mosha 85 vjeçare), bashkëluftëtar me patriotin Ramazan Cani. Unë isha për vizitë te krushqia, te shtëpia e të fejuarës në Peqin. Z. Rexhep më shikoi me habi dhe më pyeti: “Nga ç’fis jeni në Kavajë?” Pasi i tregova prejardhjen, me lot ndër sy, u ngrit dhe më përqafoi dhe më tha: “Punët e Zotit!?… Si bashkohen njerëzit!” Ky plak, me fisnikëri burrërore prej shqiptari, më tregoi lidhjen e dy fiseve, miqësi luftarake dhe bashkëpunimin në tregti. Fliste tepër i emocionuar dhe filloi të më tregoi ngjarje reale historike nga veprimtaria e çetës kryengritëse të Ramazan Canit, i cili ishte vetë pjesëtar i çetës së tij. Çeta e Ramazan Canit luftonte për lirinë e kombit kundër turqve dhe serbëve, për mbrojtjen e vegjëlisë kundër feudalëve edhe për hapjen e shkollave shqipe. Ai krenohej me Ramazanin sepse familja dhe fisi i tij e kishte shpëtuar prej hasmit. Në dhomat e miqve të dy fiseve kanë pritur me bujari dhe krenari patriotët e Kombit: Ismail Qemali, Bajram Curri, Avdi Bej Toptani, Aqif Pasha Elbasani, vëllezërit Myslim dhe Shqyqyri Peza, vëllezërit Biçaku, Avni Rustemi, Mustafa Gjinishi, Dr. Must Cara, Hamdi Frashëri, vëllezërit Bajram e Qamil Xhani. Gjatë Luftës Çlirimtare (1941-44) janë pritur partizanë, oficerë të Mbretërisë Angleze, personalitete politike dhe fetare nga Europa dhe SHBA-ja, ambasadori i Anglisë Dr. David Landsman me të shoqen, (me 11 prill 2003), atasheu ushtarak i Mbretërisë Angleze pranë ambasadës angleze në Tiranë, Mark D. Vickers (2003 & 2004), etj. Me fillimin e proceseve demokratike në vitet 90-të, dyert e dy fiseve u rihapën për të persekutuarit nga diktatura dhe patriotët, për qytetarë të thjeshtë, me të cilët na bashkonte ideali i Demokracisë. Kemi shërbyer si familje strehëdhënëse për shumë studentë amerikanë, zvicerianë, gjermanë, italian, etj, që vinin me programe kulturore ose fetare në Shqipëri.

Në 15 mars 1992 Ambasadori i parë amerikan Ryerson me të shoqen erdhën për një miting madhështor në Kavajë, i shoqëruar nga z. Sali Berisha, në hapjen e mitingut për fillimet e demokracisë. Si arritët ju të organizoni pritjen e tyre në Shoqatën tuaj patriotike “Bajram Xhani”. Çfarë biseduat aty?

4 dhjetor 1922 – 4 dhjetor 2012 është 90 vjetori i Lidhjeve Diplomatike Shqipëri-Amerikë. Në datën 20 dhjetor 2012, tek Zëri i Amerikës me rastin e 90-të vjetorit të vendosjes së lidhjeve diplomatike midis ky kombeve, ish-ambasadori amerikan z. William Ryerson ritheksoi përforcimin e demokracisë: “Nëse s’doni që historia të përsëritet, mos e lejoni të përsëritet.” Lajmi i ardhjes së ambasadorit të parë amerikan z. Ryerson në Kavajë për një miting në qytetin anti-komunist me 15 mars 1992, shoqëruar nga ish-shefi i opozitës, Z. Sali Berisha, u komunikua para 4 ditësh dhe u përhap me shpejtësi. Nga Tirana erdhën njoftime që të bëhej kujdes për sigurinë e diplomatit të lartë amerikan dhe që mitingu të bëhej madhështor. Morëm lajm se nga forcat komuniste kishte plane për sabotimin e mitingut dhe rrezik jete të personaliteteve te ftuara. Për siguri shoqata “Bajram Xhani” propozoi që mitingu të mos organizohej tek qendra e qytetit ku ishte ngritur podium për evenimentin, por të zhvillohej tek ballkoni i poliklinikës së qytetit. Shoqata Patriotike “Bajram Xhani” mori masa paraprake për të forcuar sigurinë dhe suksesin e mitingut, duke angazhuar 100 të persekutuar politik, patriotë, anëtarë të shoqatës dhe vullnetarë nga populli. U përgatitën 1000 flamuj të vegjël shqiptar dhe amerikan. Shoqata vendosi roje me turne brenda 24 orëve tek sheshi i qytetit dhe përpara poliklinikës për të ruajtur objektin dhe parandaluar incidente. Mitingu u realizua me sukses dhe komploti komunist dështoi. Mitingu me 20,000 pjesëmarrës nga qyteti dhe fshatrat e Kavajës u bë madhështor me parrudhën: “E duam Shqipërinë si Amerika”. Sheshit qendror të Kavajës, me propozim të shoqatës patriotike “Bajram Xhani” iu vu emri “Sheshi Amerika”. Vajza ime i uroi ambasadorit z. Ryerson mirëseardhjen dhe i dhuroi historikun e Shkollës Amerikane, një vazo të madhe artistike shqiptare prej bakri dhe një buqetë me lule. Ambasadori Ryerson si falenderoi familjen dhe vajzën me buzëqeshje të ëmbël iu përgjigj: “Fëmijëve të Shqipërisë me fitoren e Demokracisë do u hapën rrugët e dijes dhe shkollimit drejt SHBA-së.” Pas mitingut, u realizua pritja e ambasadorit në bashkinë e qytetit, ku ishim të ftuar, bashkë me të persekutuar dhe patriotë të tjerë. Dill Cani, (xhaxhai i gruas, ish-nënkryetar i Frontit të Rezistencës, i persekutuar politik, dënuar 101 vjet burgim) pasi mbaroi mitingu, u takua me ambasadorin dhe i tha këto fjalë me lot në sy: “Mbetëm në duart e xhelatit pa përkrahje. Kurrë nuk kam për t’i harruar torturat e tmerrshme të diktaturës gjatë burgimit tim. Kjo për arsye sepse unë me kushërinjtë e mi, me miq e patriotë në shumë anë të Shqipërisë lidhëm besën për rrëzimin e komunizmit në bashkëpunim me zbulimin anglo-amerikan.” Gjatë viteve 1991-‘96 Uashingtoni i dhuroi Shqipërisë 236 milionë dollarë ndihmë ekonomike, duke e bërë donatorin e dytë më të madh ekonomik për Shqipërinë, pas Italisë.

Në shtëpinë tuaj me 11 prill 2003 ka ardhur për vizitë miqësore ish-ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, z. David Landsman bashkë me të shoqen. Cili ishte mesazhi i përbashkët i kësaj eksperiencë miqësore e mbresëlënëse?

Në mes të marsit 2003 ambasadori Landsman u thirr për një bashkëbisedim në emisionin TV shqiptar. Ambasadori anglez ndër të tjera përgëzoi familjen Babamusta në emër të qeverisë angleze për miqësinë dhe vazhdimësinë e mbështetjes midis dy kombeve tona. Me 11 prill 2003 ambasadori anglez bashkë me të shoqen na nderoi me një vizitë të veçantë miqësie tek shtëpia jonë. Ambasadori na komunikoi mesazhin e urimit në emër të qeverisë angleze për vazhdimësinë dhe forcimin e marrëdhënieve prej një kohe të gjatë midis Angli-Shqipëri. Pritja me bujari, siç e kemi zakon ne shqiptarët i bëri shumë përshtypje ambasadorit dhe gruas së tij. Gjatë bisedës folëm për mundësinë e turizmit dhe investimit në Shqipëri nga qeveria angleze në bashkëpunim me qeverinë shqiptare. Gjithashtu i shfaqa mendimin ambasadorit për bashkëpunim, për të binjakëzuar Kavajën me Londrën. Ambasadori shprehu dëshirën dhe interesin për të restauruar kalanë e hershme të Turrës, pranë fshashit ‘Domën’, buzë Adriatikut.

Cili është bashkëpunimi juaj me Diasporën shqiptare? Cili është koncepti tuaj për kombin, për pushtetin, për partitë politike dhe për demokracinë në vendin tonë?

Në vitin 1999 dhe 2003 vazhduam punën në SHBA Në Amerikë, si familje patëm përkrahje të jashtëzakonshme nga populli amerikan, nga kongresmenë dhe senatorë të SHBA-së, si senator Tom Harkin, kongresmeni John Kline, etj. Vlerat tepër të larta të demokracisë amerikane, qenë motiv për vazhdimin e punës tonë. Në Detroit, SHBA, ku jetuam për një vit familjarisht, u lidhëm me radion shqiptare-amerikane Alba (1999). Nëpërmjet radios përhapëm vlerat demokratike të kombit tonë, të martirëve të Demokracisë, për luftën heroike të vëllezërve të Kosovës ndaj genocidit serb. Në Shtetet e Bashkuara ne mësuam solidaritetin ndaj kombit shqiptar dhe ndihmën që populli amerikan i ka dhënë dhe vazhdon t’i japi atij. Me përkrahjen direkte të SHBA-së, të ish-presidentit Geroge Bush, si pasojë e ndryshimeve pozitive Shqipëria u fut në NATO, u hoqën viza, etj. Gjatë viteve të tranzicionit, klasa politike shqiptare dhe populli shqiptar me mençurinë dhe kulturën e tij demokratike ka hapur rrugën shumë shpejt për të fituar statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Evropian. Kjo sepse me burimet ekonomike dhe vlerat politike meriton të futet në BE sa më shpejt.

Mesazhi juaj për ardhmërinë e Kosovës, Çamërisë dhe kombit shqiptar?

Populli heroik dhe liridashës i Kosovës, me kryeministrin Hashim Thaçi, brenda një periudhe të shkurtër eleminoi plagët e luftës dhe ekonomia është futur në rrugën e progresit. Për këto merita Bashkimi Evropian duhet që Kosovës t’ia heqi vizat për dalje të lirë në Evropë dhe të hapë sa më shpejt dritën jeshile për integrimin në BE. Marrëveshja e 19 prillit 2013 klasa politike e Kosovës, populli dhe qeveria e saj i treguan botës dhe Perëndimit se shqiptarët e Kosovës, ndonëse viktima e agresionit serb, dijnë të falin për hir të paqes dhe fqinjësisë së mirë midis Serbisë, Kosovës dhe rajonit. Shqiptarët që jetojnë në trojet e veta në Maqedoni, të bashkuar, duhet të këmbëngulin për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit (gusht 2001) dhe të ndihen të zotët e vatrave të tyre. Për shqiptarët e Çamërisë (krahinë etnike e kombit shqiptar), t’u njihen ndërkombtarisht të drejtat e tyre njerëzore dhe humane, t’u rikthehet pasuria e të parëve, ti jepet e drejta për të vizituar trojet e tyre stërgjyshore. Mbështetur në marrëveshjet ndërkombëtare shqiptarët në Mal të Zi dhe në luginën e Preshevës duhet t’u jepen të gjitha të drejtat, ashtu siç iu është dhëna pakicave serbe në Mitrovicë. Kombi shqiptar duhet të ndjeki rrugën e Rilindasve për të ruajtur gjuhën, zakonet, traditat, identitetin kombëtar, që të mos asimilohemi. Sot në trojet shqiptare jetojnë mbi 10-12 milion shqiptarë. Luftërat na vranë, na çfarosën – duhet të ishim sot një komb me populli pres 30 milionësh. Duhet që klasa politike e kombit tonë të punojë për një zhvillim sa më të shpejtë ekonomik që të zhdukë një herë e përgjithmonë plagën e emigracionit, sepse sot në botë nga 45 milion refugjatë, 3 milion janë shqiptarë. Bashkimi kombëtar kjo ëndërr e Rilindasve duhet të futet në gjakun e çdo shqiptari. Sot kushtet e brendshme dhe ndërkombëtare nuk e bëjnë të mundur një gjë të tillë sepse rrezikon prishjen e ekuilibrit në Ballkan. Parim madhor për kombin tonë është integrimi për në Bashkimin Evropian. Bisedoi: Raimonda Moisiu

Gazeta Sot

Ambasada izraelite, investime për fëmijët shqiptarë në Tiranë

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj: Jemi me shumë fat që kemi miq nga Izraeli

Izrael

Herzog: Shqipëria në krah të popullit izraelit, në anën e duhur të historisë

Presidenti i Izraelit, Isaac Herzog deklaroi sot se shqiptarët dhe hebrenjtë ndajnë një histori domethënëse.

Shqipëri

Koçiu-Hareven: Shkëmbim i njohurive mjekësore me Izraelin

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu takim me Yoel Hareven, drejtor mjekësor në “Sheba Medical Centre”

Kosove

Osmani: Kosova dënon sulmin e Iranit ndaj Izraelit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas sulmit të Iranit ndaj Izraelit natën e kaluar.

OPED

Populli ynë ka qenë dhe do të mbetet krah popullit hebre

Sot shënohet Dita e Përkujtimit të Holokaustit, ditë që përbashkon gjithë botën në kujtim të viktimave

Bota

U rrëzua helikopteri, vdesin Presidenti i Irani dhe ministri i Jashtëm

Presidenti iranian Ebrahim Raisi dhe ministri i Jashtëm Hossein Amirabdollahian ishin në mesin e nëntë personave që humbën jetën

Spyzone

Izraeli, rekord eksportesh prodhime ushtarake në 2023

Kompanitë izraelite të mbrojtjes nënshkruan porosi të reja eksporti me vlerë rekord 13.073 miliardë USD në vitin 2023