Panorama hebraike e çlirimit të Shqipërisë


Nga Eno Civici – Retorika politike e ditëve të sotme mbi 70-vjetorin e luftës nacionalçlirimtare po i vishet vrullshëm rolit të frontit ushtarak dhe datës së saktë të largimit të okupatorit të fundit. Në fakt, ashtu siç thotë Ismail Kadare në librin “Darka e Gabuar”, krahas tentativës së partizanëve për të rënë në sy përballë një pushtuesi që kërkonte vetëm rrugën e kalimit dhe jo uzurpimin territorial, ekziston dhe një anë humane dhe shumë e vlerësuar e Shqipërisë gjatë muajve të çlirimit. Këtu bëhet fjalë për sjelljen dhe interesimin madhor që i kushtoi faktorit hebre, aq shumë të anatemuar nga regjimi nazist.

Nëse ndodheni për pak minuta në muzeun historik të holokaustit në Tel Aviv në Izrael, sytë tuaj do të vërejnë rëndësinë e kombit shqiptar në të. Madhështia e këtij muzeu, i quajtur Yad Vashem, informon mbi spikatjen e një llogaritjeje shumë të rëndësishme. Në qendër të çështjeve që lidhen me kërcënimet fillestare kundër hebrenjve në Francë dhe Austri në vitet 30’, eksodin masiv të tyre drejt Amerikës Latine, refuzimit australian për t’i strehuar në vitin 1935, ndërtimin monstruoz të getove nëpër lagjet polake, burgosjes dhe shfarosjes së këtij faktori nëpër kampet e përqendrimit dhe zhdukjes së më shumë se 1 milion fëmijëve hebre, ekziston një fakt i pamohueshëm. Shqipëria është i vetmi vend në Europë dhe për pasojë në të gjithë planetin, në të cilin janë regjistruar më shumë hebre në përfundim të luftës se sa në fillim të saj. Kjo tregon shumë për vetë sakrificën që vendi ynë, me më shumë guxim se përkujdesje, ka bërë për të mbrojtur këtë komunitet i cili përndiqej. Populli hebre, qytetarë, politikanë apo tregtarë qofshin, ende na falenderon. Në një udhëtim në qytetet më të rëndësishme të Izraelit mund të rastisë që të takoni, z. Avraham Rinot, një biznesmen në tregun e sigurimeve, i cili prej 1 viti është zgjedhur konsulli i Nderit i Shqipërisë në Izrael. Edhe pse në moshë të thyer, ai nuk lë rast pa përmendur falenderimet që i drejton çdo shqiptari në emër të një populli, i cili ka kaluar vështirësi dhe mesa duket ende vazhdon t’i përjetojë. Rinot, në një takim me një delegacion gazetarësh shqiptarë, shprehet se nuk do të reshtë asnjëherë së përndrituri vlerat e kombit tonë, si një tokë gjithashtu e shenjtë në perëndim të Ballkanit, ku në vitet e egra të luftës jeta u mbrojt dhe nuk u nëpërkëmb.


Të njëjtin pozicion mban dhe një zyrtar i lartë i Ministrisë së Jashtme izraelite, Dan Oryan, i cili pasi vlerëson rolin e popullit dhe “strehës” shqiptare gjatë Luftës së Dytë Botërore, nuk nguron të ofrojë të gjithë dijen e shtetit që përfaqëson si një vlerë. Kjo nuk do të thotë strehim për shqiptarët në rast lufte, por mundësinë për të mësuar nga shteti i parë në botë në terma të inovacionit teknologjik. Në fakt, pak nga ne gazetarët që gjendeshim atje e dinin se e ashtuquajtura “usb” është shpikur pikërisht në Izrael. Shteti i vetëm hebraik në mes të Lindjes së Mesme, i pamësuar me pasuri natyrore ku mungon dhe më kryesori uji i pijshëm, është detyruar të mbijetojë dhe mbi të gjitha të fitojë nëpërmjet teknologjisë dhe rezultatet i ka të shkëlqyera. Panelet diellore nuk janë shpikur në Izrael, por ato kanë gjetur një ndër përdorimet më të vyera në këtë tokë. Pranë rripit të famshëm të Gazës, atje ku bashkohen 3 kufij të tri shteteve vazhdimisht në konflikt me njëri-tjetrin, grupi i gazetarëve shqiptarë mundi të vinte re rreshta e kolona të panumërta panelesh diellore, të cilat shtriheshin në hapësira të mëdha shkretëtire duke krijuar energji atje ku vetëm rëra dhe dheu sundojnë.

Izraeli i sotëm, ndryshe nga Shqipëria, vazhdon të përballet me çështje territoriale, të cilat në thelb dhe rrënjë të tyre kanë historinë. Tentativa e popullit palestinez për të bërë për vete Jerusalemin, në fakt është një çështje që edhe gjatë udhëtimit tonë atje na shoqëron me skena makabre dhune në sheshe apo sinagoga si ajo e fundit e datës 18 nëntor, ku u therën 5 besimtarë në orën 7 të mëngjesit. Ashtu si na tregon Adam Primor, kryeredaktor i televizionit “i24News”, është jashtëzakonisht shumë e vështirë të qëndrosh i paanshëm kur flet e raporton mbi ngjarje makabre të cilat lëshohen nga forca primitive, por që marrin përgjigje edhe më të forta nga shteti izraelit. Në fund janë pikërisht njerëzit që vuajnë pavarësisht nga krahu që mbajnë. E të njëjtit mendim është dhe gazetarja shumë e njohur izraelite, Nechama Duek. Ajo, edhe pse pjesë e opinionit të majtë brenda izraelit, shprehet e bindur se qeveria aktuale e djathtë ka ndërmarrë në kohë të gjithë hapat e nevojshëm politikë për të realizuar një armëpushim me Palestinën. Sipas saj, kryeministri Benjamin Netanyahu, edhe pse i përket krahut të kundërt me të, ka aplikuar ideologjinë dhe prakticitetin e duhur politik kundrejt konfliktit shumëvjeçar, por situata vazhdon të rëndohet.

Në Izrael, ashtu siç zbuluam ndryshimet e shumta dhe asimetrinë me Shqipërinë, arritëm të përqasemi edhe me vlera shumë të ngjashme. Haifa, është qyteti i tretë më i madh i Izraelit me një popullsi prej rreth 280 mijë banorësh. E veçanta e Haifas për Izraelin dhe e përbashkëta me Shqipërinë është pikërisht bashkëjetesa fetare dhe etnike që ekziston brenda banorëve të saj. Ndryshe nga qytete të tjera, në Haifa ekzistonin dhe jetonin në paqe e pa konflikte komunitete hebre, myslimane, bahai, katolike dhe ortodokse. Ashtu siç na e shprehu disa herë Drejtori Ekzekutiv i Qendrës Beit-Hagefen, Asaf Ron, festat e përbashkëta dhe qëndrimi larg politikës apo ndikimit ideologjik kanë bërë të mundur bashkekzistencën e këtyre komuniteteve, pikërisht në qendër të rajonit më të zellshëm për konflikte fetare.

Në fund të takimeve, si një dozë aromatizuese mbi lidhjet e Shqipërisë me Izraelin, mundëm të takonim poetin botërisht të njohur, Ronny Someck, veprat e të cilit, ndër shumë gjuhë të botës janë përkthyer edhe në shqip. Fjalët e tij në një darkë në Tel Aviv është vështirë të harrohen: “Përkushtojuni jetës dhe lirisë, si të vetmet mendime të afta të lëvizin botën”.

Politikisht, mbetet ende e paqartë dita kur nazisti i fundit u largua nga toka shqiptare, por aftësia e këtij kombi për të strehuar të përndjekurit e kohës, në fakt ka shërbyer edhe si frymëzim për vetë ata që të qëndrojnë të zhvilluar dhe të hapur përballë një bote dhe globalizimi që pak gabime fal e që shumë shpulla jep. Shqipëria ishte një shembull gjatë kohës së ashtuquajtur “holocaust”, le të bëhet e tillë edhe në shekullin XXI, ku lufta e vërtetë është ajo e zhvillimit.


Botuar ne gazeten Mapo

Ambasada izraelite, investime për fëmijët shqiptarë në Tiranë

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj: Jemi me shumë fat që kemi miq nga Izraeli

Izrael

Herzog: Shqipëria në krah të popullit izraelit, në anën e duhur të historisë

Presidenti i Izraelit, Isaac Herzog deklaroi sot se shqiptarët dhe hebrenjtë ndajnë një histori domethënëse.

Shqipëri

Koçiu-Hareven: Shkëmbim i njohurive mjekësore me Izraelin

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu takim me Yoel Hareven, drejtor mjekësor në “Sheba Medical Centre”

Kosove

Osmani: Kosova dënon sulmin e Iranit ndaj Izraelit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas sulmit të Iranit ndaj Izraelit natën e kaluar.

OPED

Populli ynë ka qenë dhe do të mbetet krah popullit hebre

Sot shënohet Dita e Përkujtimit të Holokaustit, ditë që përbashkon gjithë botën në kujtim të viktimave

Bota

U rrëzua helikopteri, vdesin Presidenti i Irani dhe ministri i Jashtëm

Presidenti iranian Ebrahim Raisi dhe ministri i Jashtëm Hossein Amirabdollahian ishin në mesin e nëntë personave që humbën jetën

Spyzone

Izraeli, rekord eksportesh prodhime ushtarake në 2023

Kompanitë izraelite të mbrojtjes nënshkruan porosi të reja eksporti me vlerë rekord 13.073 miliardë USD në vitin 2023