Presidenti Meta u promovon turistëve izraelitë bukuritë e Shqipërisë
Në pritjen e organizuar në Presidencë morën pjesë ish-ambasadori David Cohen dhe ai aktual i Izraelit në Tiranë, Boaz Rodkin
Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka pritur sot një grup turistësh nga Izraeli, të cilët ishin të shoqëruar nga Ambasadori i Izraelit Boaz Rodkin si edhe ish-Ambasadori i Izraelit, zDavid Cohen.
Meta ka kërkuar marrëdhënie më të ngushta duke e vënë theksin tek teknologjia izraelite.
Gjatë takimit, që kishte për qëllim promovimin e turizmit, kulturës e traditave shqiptare, Presidenti Meta i njohu të pranishmit me mundësitë e shkëlqyera që ofron vendi ynë në turizëm.
Kreu i Shtetit theksoi se fokusi i forcimit të marrëdhënieve dypalëshe duhet të vendoset tek ekonomia dhe turizmi, teksa shtoi se Izraeli ka një potencial të jashtëzakonshëm për të qenë pjesë e zhvillimeve ekonomike të Shqipërisë.
“Shqipëria është një vend i preferuar për Izraelin për të nxitur investimet këtu dhe kjo është jashtëzakonisht pozitive. Tani kemi një linjë direkte ajrore midis Tel Avivit e Tiranës dhe unë besoj që është mundësia t’i japim një shtytje më të fortë marrëdhënieve të gjithanshme në të gjithë fushat.
Izraeli ka një fuqi të madhe në teknologji dhe sidomos për ‘start-up’-et.
Në këtë drejtim ne kemi nevojë për teknologjinë më të avancuar izraelite që të zhvillohemi sa më shumë.
Turizmi është një mundësi e shkëlqyer që Shqipëria ofron për zhvillim, por edhe për të surprizuar të gjithë izraelitetët që duan të shohin një vend kaq miqësor ndaj tyre.
Ne do të vazhdojmë t’i forcojmë marrëdhëniet institucionale me Izraelin, por marrëdhëniet tona janë shumë të fuqishme sepse në rradhë të parë janë shumë njerëzore.
Falenderim të veçantë për ish-Ambasadorin Cohen që vazhdon të promovojë Shqipërinë dhe të punojë për të forcuar marrëdhëniet mes dy popujve tanë”, – tha Presidenti Meta.
Sakaq, Kreu i Shtetit e vuri theksin edhe në kontributin historik që ka dhënë Shqipëria, si asnjë vend tjetër në Evropë, në mbrojtjen e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore.
“Jam ndjerë shumë krenar për vendin tim dhe për kombin tim kur kam vizituar ‘Yad Vashem’-in. Kur kam parë në hartën e Evropës se si ishte zhvendosur popullsia hebreje në vende të caktuara të kontinentit para dhe pas Luftës së Dytë Botërore.
Shqipëria, për krenarinë e të gjithë ne shqiptarëve sot, kishte pas Lufte shumë herë më tepër hebrenj se përpara saj dhe se asnjë hebre nuk iu dorëzua pushtuesve. Kjo dëshmon forcën e madhe të humanizmit dhe të solidaritetit të kombit tonë dhe jo për koincidencë Nënë Tereza është me origjinë shqiptare”, – u shpreh Presidenti Meta.
Meta njihet si një dashamirës i madh i Izraelit edhe kur ishte Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë, teksa ka realizuar edhe një vizitë zyrtare në vendin hebraik.
Gjatë ceremonisë një ansambël i vogël folklorik këndoi dhe kërceu, ndërsa ishte organizuar edhe një miniekspozitë ku ishin ekspozuar kostume popullore.
Turistëve izraelitë Kreu i Shtetit u dhuroi edhe nga një qeleshe tradicionale shqiptare, me një shqiponjë të qëndisur në të.